Vajza ruse që jeton në Shqipëri: Zakoni më i keq? I shtyni gjërat për më vonë dhe thoni gjithmonë ‘kismet’. Ankoheni për çdo gjë
Nga Entela Resuli
Alla është një vajzë ruse që prej 14 vitesh jeton në Tiranë. Përpara se të shkelte në Shqipëri, dinte shumë pak për të, dhe as nuk e kishte menduar asnjëherë jetën e saj këtu.
Si fillim në Shqipëri e solli dashuria. Më pas kuptoi, se ndryshe nga shumë shqiptarë që duan të largohen nga vendi i tyre, ajo ka zbuluar se Shqipëria është një vend shumë i mirë për të jetuar.
E rritur në Moskën e ftohtë, Tirana dhe gjithë Shqipëria i janë dukur shumë mikpritëse dhe bujare.
Vitet e para të qëndrimit në Shqipëri ka punuar si fotografe, ndërsa tani, prej më shumë se pesë vitesh është e angazhuar në një tjetër fushë, atë të trajnimit të mendimit të njerëzve dhe fotografisë.
Në rrjetet sociale ajo është e njohur për seancat e saj motivuese.
Alla Simacheva e flet shqipen shumë mirë. Është brune dhe ka tipare të imta. Sot është mami e një djali 11 vjeç. Ka një zgjidhje për gjithçka dhe sipas saj e gjithë jeta është çështje fokusi, varet se çfarë do që të shohësh dhe marrësh prej saj.
-Por si duket Shqipëria e ditëve të sotme në sytë e një vajze ruse? -Alla, përpara se të vije në Shqipëri a kishe dëgjuar më parë për këtë vend?
Të jem e sinqertë, shumë pak dija për Shqipërinë, vetëm vendndodhjen dhe disa stereotipe.
-Çfarë të solli këtu dhe mbi të gjitha çfarë të mbajti në Shqipëri?
Fatmirësisht, përpara se të vizitoja Shqipërinë për herë të parë, zgjodha të mos lexoja asgjë në internet dhe të krijoja përshtypjet e mia. Takimi i parë me Shqipërinë ndodhi para 18 vitesh, kur do të takoja familjen e ish-bashkëshortit shqiptar. Isha shumë e re dhe e guximshme dhe pavarësisht jetës së sistemuar mjaft mirë në Moskë, nuk mendova gjatë për t’u transferuar në Tiranë.
Njoh shumë gra ruse që janë larguar nga Rusia për bashkëshortët e tyre shqiptarë. Mirëpo, martesa ime tashmë ka përfunduar dhe zgjidhur, dhe qëndrimi në Shqipëri ishte një zgjedhje e vetëdijshme.
Së pari, Shqipëria na ofron të gjitha mundësitë për të krijuar jetën siç duam, pavarësisht, ankesave dhe mendimeve negative të shumë shqiptarëve, unë realisht shikoj shumë mundësi për një jetë të bukur në Shqipëri.
-Ka diçka që të bëri përshtypje në fillim, mund të na e tregosh?