Sulmohen me shishe xhami automjetet zyrtare të PK-së dhe KFOR-it, gjatë patrullimit të përbashkët në Leposaviq
Policia e Kosovës dhe KFOR-i amerikan janë sulmuar në Leposaviq teksa ishin duke patrulluar së bashku.
Policia e Kosovës ka njoftuar se teksa po patrullonte, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë bashkë me KFOR’in amerikan në fshatin Miokovicë janë sulmuar me shishe xhami rreth orës 04:05 në rrugën e fshatit Miokovicë.
Policia bashkë me KFOR’in kanë identifikuar shtëpinë e të dyshuarit dhe e kanë arrestuar, i cili më pas ka pranuar se ka bllokuar rrugën fillimisht dhe ka gjuajtur me shishe.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe.
Makina me të cilën autori i dyshuar kishte bllokuar rrugën është sekuestruar, ndërsa ai është liruar pas intervistimit.
“Më datë 06.05.2024 rreth orës 04:05 në rrugën e fshatit Miokovicë gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit Seat ngjyre hiri ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare.
Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuare shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen. Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe.
Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, ka njoftuar policia e Kosovës.