Sherr me thika e leva mes të rinjve në Berat për një gërvishtjeje makine
Tre të rinj janë plagosur mbrëmjen e sotme në Berat. Ngjarja ndodhi në lagjen “Uznovë”,në dalje të qytetit të Beratit, ku të rinjtë, pasi kanë gërvishtur automjetet, kanë hapur krahun në anë të rrugës dhe janë përleshur.
Kanë qenë dy vëllezërit Donald dhe Denis Destani, përkatësisht 29 dhe 25-vjeç, ata që pasi kanë zbritur nga mjeti i tyre, kanë thyer me leva xhamat e automjetit tip Ford Fokus, me targa AA 562 CS të shtetasit Xhuljano Hyraj, 27-vjeç.
Pas kësaj, dy vëllezërit dhe Xhuljano Hyraj janë konfliktuar me thika e leva, derisa i kanë ndarë.
Donald Destani ka marrë plagë thike në shpatull, ndërsa Xhuljano Hyraj ka marrë goditje me levë në kokë. Të njëjtat burime konfirmojnë se, të tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Pas mjekimit, ata do shoqërohen në Komisariatin e Policisë Berat,ku do të merren në pyetje në lidhje me ngjarjen, pasi nuk dihen ende shkaqet e konfliktit mes tyre.
“Rreth orës 19:50, në lagjen “Uznovë”, Berat, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasit D. D., 28 vjeç dhe D. D., 30 vjeç, (vëllezër), janë konfliktuar fizikisht, kanë goditur me sende të forta dhe u kanë thyer xhamat e mjeteve shtetasve Xh. H., 27 vjeç dhe Xh. K., 24 vjeç, të dy banues në Uznovë, të cilët po marrim mjekim në Spital, pa probleme për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar menjëherë në ambjentet e Komisariatit, të dy vëllezërit e përfshirë në konflikt dhe po kryejnë veprimet e mëtejshme procedurale.” – njofton policia.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit./oranews.tv