Bota

Rregullatorët evropianë nisin hetim kundër Apple, Google dhe Meta

Rregullatorët evropianë i kanë nisur hetimet kundër kompanive Apple, Google dhe Meta të hënën.

Ky është rasti i parë i hetimeve në përputhje me ligjin e ri – që hyri në fuqi këtë muaj – i cili ka për qëllim të mos i lejojë kompanitë e mëdha të teknologjisë ta kontrollojnë tregun digjital.

Komisioni Evropian tha se po i heton këto kompani për “mosbindje” ndaj Aktit të Tregjeve Digjitale (ATD).

Akti i Tregjeve Digjitale është një ligj i gjerë i cili i ka në shënjestër kompanitë e mëdha të teknologjisë që ofrojnë “shërbime të platformës kryesore” duke i detyruar ato t’u përmbahen një sërë rregullash se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo.

Nëse nuk i përmbahen ligjit, ato rrezikojnë ndëshkime të ashpra financiare, e madje edhe me mbylljen e bizneseve.

Rregullat kanë për qëllim t’i bëjnë tregjet digjitale “më të drejta” dhe “më të kontestueshme”, duke i prishur ekosistemet e mbyllura teknologjike të cilat i detyrojnë myshterinjtë të përdorin produkte apo shërbime të një kompanie të vetme.

Rregullatorët po hetojnë nëse Google dhe Apple po u përmbahen plotësisht rregullave të ATD-së, të cilat kërkojnë që këto kompani t’i lejojnë zhvilluesit e aplikacioneve t’i drejtojnë përdoruesit kah ofertat në dispozicion jashtë dyqaneve të tyre të aplikacioneve.

Komisioni Evropian tha se ndihet i shqetësuar se këto dy kompani janë duke vendosur “kufizime të ndryshme”, përfshirë pagesa që ua parandalojnë aplikacioneve promovimin e ofertave falas.

Google përballet me kritika se nuk po u përmbahet rregullave të ATD-së, të cilat u ndalojnë kompanive gjigante t’i bëjnë preferenca shërbimeve të veta karshi atyre rivalëve.

Komisioni tha se është duke e hetuar kompaninë Apple gjithashtu për të parë nëse ajo po bën mjaftueshëm për t’i lejuar përdoruesit e iPhone t’i ndryshojnë me lehtësi ueb-brouserat.

Ndërkohë, Meta po hetohet për një opsion i cili u mundëson përdoruesve të paguajnë një shumë mujore për versione pa reklama të Facebook dhe Instagram, në mënyrë që ta shmangin përdorimin e të dhënave personale kur targetohen me reklama online./REL

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button