Planeti që ka një shtresë nëntokësore prej diamantesh, 18 km të trashë
Një shtresë me diamante mbi 18 km e trashë mund të jetë e vendosur poshtë sipërfaqes së Mërkurit, planetit me të vogël të sistemit tonë diellor, i cili ndodhet edhe më pranë diellit sesa të tjerët.
Sipas një studimi të kryer së fundmi, shtresa e diamanteve mund të jetë formuar pak kohë pasi Mërkuri u përplas me një planet tjetër rreth 4.5 miliardë vite më parë.
Diamantet besohet të jenë formuar pas krijimit të një reje gjigante me gaz dhe pluhur dhe në një mjedis me temperatura dhe presion të lartë.
Gjatë kësaj kohe, planeti i ri ka pasur një kore grafiti, që notonte mbi një oqean të thellë magme.
Një ekip kërkuesish simuluan një mjedis të ngjashëm me atë të planetit të ri.
Për të kryer eksperimentin u përdor një makineri që përdoret zakonisht për të studiuar mënyrën sesi materialet sillen në presion ekstrem, por edhe në prodhimin e diamanteve sintetikë.
“Është një shtypje e madhe, e cila na mundëson të nënshtrojmë mostra të vogla në të njëjtin presion të lartë dhe temperaturë të lartë që do të prisnim thellë brenda mantelit të Mërkurit, në kufirin midis mantelit dhe bërthamës,” tha Bernard Charlier, kreu i departamenti i gjeologjisë në Universitetin e Lièges në Belgjikë dhe bashkautor i një studimi që raporton gjetjet.
Ky mekanizëm, thonë studiuesit, jo vetëm që mund të na japë më shumë njohuri për sekretet e fshehura nën sipërfaqen e Mërkurit, por edhe për evolucionin planetar dhe strukturën e brendshme të ekzoplaneteve me karakteristika të ngjashme.