HARTA/ Përkeqësimi i motit të mërkurën, bashkitë më të rrezikuara nga reshjet
Vendi ynë pritet të përfshihet ditën e mërkurë nga reshje shiu, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se pritet të shfaqen problematika në Veriperëndim si dhe pjesërisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe vijës bregdetare.
“Sasia e reshjeve pritet të jetë më intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Shkodrës. Në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë priten reshje intensive. Në qarqet Elbasan dhe Vlorë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar priten në qarqet e tjera”, njoftoi Agjencia.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Të enjten, sipas Agjencisë, parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri në mesatar në pjesën më të madhe të territorit.
Në këtë kohë, Agjencia u kërkon bashkive të mobilizojnë strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe institucioneve që kanë në administrim hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.