Gripi i shpendëve në qarkullim, Tomini ngre alarmin: Ka aftësinë të kalojë edhe te njeriu
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, është shprehur se gripi i shpendëve është një virus që ka aftësinë të transmetohet edhe te kafshët e tjera, por edhe te njeriu.
E ftuar në një program televiziv Tomini tha se në SHBA është vënë re transmetimi i virusit nga zogjtë te lopa e njeriu.
“Gripi i shpendëve apo H5N1 është një nga format më të zakonshme të gripit të shpendëve, por që nuk mbetet vetëm në kuadrin e kësaj specieje. Por që ka aftësinë të transmetohet edhe te njerëzit, te individët që manipulojnë me shpendët, apo kanë kontakte me shpendët e sëmurë, pra që e kanë virusin e H5N1, por që ndërkohë mund të transmetohet edhe në kafshë të tjera.
Që në këtë rast është shembulli tipik si ai i evidentuar në SHBA, ku u evidentua edhe në qenien humane, apo në një nga punëtorët që manipulon me kafshët e gjedhët. Është vënë re transmetimi nga zogjtë te lopa e njeriu. Nuk përjashtohen rastet e transmetimit të infeksionit nga shpendët e sëmurë te kafshët e tjera, përfshi edhe njeriun”, tha Tomini.