Kulturë

Gëzim Kame: Politikanët nuk vijnë në teatër, sepse shikojnë veten e tyre

Gëzim Kame si regjisor është shquar për një punë krijuese të dendur dhe tejet të veçantë. Veprat që ka sjellë në skena të ndryshme për publikun janë mirëpritur dhe kanë trajtuar probleme të kohës. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Gëzim Kame “Mjeshtër i Madh” thotë që punën me teatrin e ka bërë me shumë pasion dhe dashuri. Së fundmi në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” solli premierën “Biznesmeni”. Vepra e shkruar nga Viktor Zhusti që ka në qendër gjyqin e supozuar të një biznesmeni, i bën skanerin biznesit shqiptar ndër vite. Regjisori shprehet se mesazhi i veprës është i fortë, që pasurimi mos bëhet duke shkelur të tjerët, por te kjo pjesë preket dhe drejtësia. Regjisori Gëzim Kame tregon për punën që ka bërë me shfaqjen për ta sjellë në skenë dhe thotë se në aktivitetin e tij publikut gjithmonë i ka dhënë vepra që përcjellin mesazhe. Gëzim Kame është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai është një prej personaliteteve më në zë të skenës shqiptare, por me rëndësi për regjisorin e njohur është dhe vëmendja që duhet treguar ndaj teatrit. Ai thotë se shteti nuk duhet të jetë neglizhent për teatrin shqiptar dhe ligji është rregullatori kryesor, ku sipas tij duhet të ketë ndihmë edhe për trupat teatrore private në jetën artistike. Në vijim të aktivitetit të tij me teatrin, regjisori i njohur thotë se pas premierës “Biznesmeni” në projektet e tij është vepra “Kufoma e gjallë” e Tolstoit.

-Shfaqja teatrore “Biznesmeni” ju riktheu në Teatrin Kombëtar. Vepra e shkruar nga Viktor Zhusti ka në qendër gjyqin e supozuar të një biznesmeni, duke i bërë skanerin biznesit shqiptar ndër vite. Premierë që u përcoll me interesin e publikut, ku jeni shprehur se vepra është thellësisht shqiptare dhe intelektuale. Thelbi i saj sipas jush është që biznesmeni ishte bërë i tillë, duke shkelur të tjerët. Një vepër që përcjell mesazhe, por çfarë mund të na thoni më shumë mbi punën tuaj për ta sjellë këtë premierë në skenë, si regjisor çfarë synuat?Në gjithë karrierën time në zgjedhjet e mia që bëja nëpër vepra, ku mund të lexoja 20 vepra në muaj dramaturgji botërore dhe shqiptare kishte që nuk më pëlqenin edhe kryevepra po të ishin. Nuk më pëlqenin, sepse nuk gjeja mesazhin adekuat që i përket në atë moment vendit tonë, popullit tonë. Në momentin që unë gjej një mesazh që është aktual dhe është frymëzues për publikun atëherë përqendrohem. Specifika ime në regjisurë është përcjellja e mesazhit. Unë jam totalisht i angazhuar me problemet e vendit dhe ky është tipari thelbësor që ia njoh vetes. Po nuk pati një mesazh që të godasë për momentin për spektatorin unë nuk e vlerësoj atë vepër. Mesazhi sigurisht është pjesë e jetës sime të brendshme, që do të thotë unë jetoj me atë shqetësim në jetën e përditshme. Njoh intuitën, e kam këtë dhunti që e di se çfarë kërkon spektatori ynë në një moment të caktuar, çfarë i duhet atij. U bënë 33 vjet që kemi ndryshuar sistemin. Jemi në këtë sistem tjetër, shumë i mirë por shumë problematik. Ky sistem sidomos për brezin tim që unë jam i dy kohërave dhe kam vënë shfaqje në teatër para dhe pas viteve 1990  mua më dëshpëron, kjo është dhe në rang botëror dhe jo vetëm tek ne që paraja është bërë motivi kryesor i jetës së njeriut. Me para po blihet gjithçka, me para po blihet shpirti njerëzor, kjo gjë mua më ka dëshpëruar shumë. Vit pas viti pas 1990 shikoja se si lindnin biznesmenë të rinj. Duke përjashtuar një pjesë të vogël që ishin inteligjentë në biznes dhe ishin të ndershëm duke pasur gjithmonë motivin e fitimit por jo në rrugë të shtrembër, unë shikoja që shumë biznesmenë injorantë tipikë të kohës pa arsimim, pa kulturë, deri -deri pa etikën njerëzore kur i takoje rrugës ishin bërë kaq të pasur sa ata sfidonin çdo lloj njeriu që iu dilte përpara. Nuk përfillnin as intelektualin, as njeriun me kulturë, as njeriun e thjeshtë. Ata dolën në sipërfaqe me një rrugaçëri të tmerrshme dhe unë këtë nuk e kam duruar këto 33 vjet. Kjo qe një brengë e imja e brendshme që thoja ky është kapitalizmi. Filloi nga zeroja tek ne, në një stad të gjithë u ulëm për të marrë vrapin drejt fitimit, drejt një jete më të mirë dhe vura re që të parët dolën këta që ishin hiçët. Kush është i zoti do rendë më përpara, kush është atleti më i mirë do dalë i pari, ose i dyti, i treti. Por tek ne kjo diferencë u bë absurde, sepse pa bërë as stërvitje dhe asgjë del i pari. Në qendër të saj është ideja për biznesmenët që rendin pas parasë, që janë super mendjelehtë, vetëm të fitojnë dhe nuk pyesin rrugën se si fitohet me djersën e ballit kjo para. E paraqita në bordin e Teatrit Kombëtar, u aprovua dhe filloi puna në 1 shkurt për ta sjellë në skenë. Janë dy gjëra në vepër, rrugën se si biznesi shqiptar ka pasur ecurinë deri më sot që nuk ka qenë ajo rrugë si duhet dhe e dyta mungesa e drejtësisë në gjykimin e problemeve. Këto dy mesazhe unë desha t’ia përcillja publikut.

Shfaqja “Biznesmeni”

-Viktor Zhusti në këtë premierë erdhi si aktor e dramaturg. Për pjesën është inspiruar nga novela e zviceranit Friedrich Durrenmatt, por ai e përshtat atë me realitetin vendas. Mesazhi i veprës është i fortë, që pasurimi mos bëhet duke shkelur të tjerët, por preket dhe drejtësia. Për këtë vepër në skenë, siç jeni shprehur është punuar rreth 4 vite…

Në teatër duke pirë kafe unë, miku im Viktor Zhusti dhe avokati Spartak Ngjela në një bisedë ai thotë që kishte lexuar një novelë të Friedrich Durrenmatt, të cilit unë i kam vënë një vepër në 1991 dhe ishte “Vizita e damës plakë” në Teatrin Kombëtar dhe e njoh literaturën e tij. Kjo më befasoi dhe e pyeta është novelë apo vepër skenike? Më tha është novelë. Nuk e kisha lexuar dhe novela quhej “Defekti”. Ai e dinte subjektin e saj dhe bëri një sinops të vogël që mua më intrigoi, sepse përkonte me bindjet e mia që në vitet 1950-’53 kur e ka shkruar Durrenmatt ka pasur po këto probleme dhe në Zvicër për zhvillimin e kapitalizmit. Por qe një kalvar i gjatë për ta gjetur veprën. Nuk e gjetëm në Tiranë, nuk e gjetëm në bibliotekë. Viktori niset pas disa ditësh për në Athinë dhe pyet dhe atje se gjen, por pas një viti diku ku kishte pyetur e marrin në telefon dhe i thonë që ia kishin gjetur novelën. Viktori shkon në Athinë e merr e lexon dhe në telefon më thotë është në idetë që përkon me ne. Unë po e përkthej thotë dhe po filloj punë. Nga ky moment kjo vepër u punua 4 vjet rresht në një bashkëpunim të ngushtë ne me njëri-tjetrin dhe në këtë projekt ne arritëm në finale që është vepra që u vu në skenë “Biznesmeni”. Ka marrë vetëm syzhetin ose ajrin e përgjithshëm të Durrenmatt dhe çdo gjë në vepër është e Viktor Zhustit. Një krijim i jashtëzakonshëm dhe unë e quaj nga veprat më inteligjente shqiptare që është shkruar ndonjëherë.

Komedia “Shi në plazh”

-Edhe më parë në vepra të ndryshme teatrore që ju keni vëni në skenë janë trajtuar probleme të kohës. A vijnë politikanët në teatër?

Politikanët nuk vijnë në teatër. Duhet ti ftosh që të vijnë. Unë nuk i ftoj politikanët që të vijnë. Politikanët nuk vijnë në teatër, sepse shohin veten e tyre.

-Në aktivitetin tuaj janë vepra të suksesshme të tjera teatrore ndër vite, si dhe “Pjata prej druri” vënë dikur në skenën e Teatrit Kombëtar që vite më pas ju e vendosët me të tjerë aktorë dhe në teatrin e Gjakovës. Një vepër që mbetet aktuale edhe sot, çfarë kujtoni nga koha kur e vutë në Teatrin Kombëtar?

Më kujtuat veprën teatrore “Pjata prej druri”, që e kam vënë në skenë gati njëzet vjet përpara në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Ajo nuk është thjesht suksesi im në regji, por vepra përkoi shumë mirë me problemet sociale që kemi ne, marrëdhënia mes prindërve dhe fëmijëve që kanë familjen e tyre por jetojnë me prindër. Është një konflikt i përhershëm, i heshtur ose i thellë. Nga vendi ku drejtoja shfaqjen në Teatrin Kombëtar shikoja sallën plot me spektatorë që më tepër zbardhonte, njerëzit mbanin kartpecetat dhe e gjithë salla përlotej. Ajo që trajtonte vepra ishte një problem për çdo familje. Aty është një problem, ku vetë jeta, ekonomia, përplasja e mentaliteteve bën që të ketë kontradita dhe konflikte brenda familjes. Ishte një vepër që u përthith në mënyrë të jashtëzakonshme.

Shfaqja “Pjata prej druri”

-Për ju sot shfaqjet teatrore apo dhe filmat e Kinostudios para viteve ’90-të shihen me kureshtje. Çfarë mund të na thoni mbi punën tuaj apo dhe regjisorëve të tjerë atë kohë, që sipas jush ka art në shfaqjet teatrore dhe disa kanë qenë edhe të karakterit europian?

Miku im Viktori tani në shfaqjen e 15-të në skenë më thotë “E mo Kame vëmë shfaqjen neve po këta aktorët e rinj të Teatrit Kombëtar thonë: hë se janë shfaqje të viteve ’80-të”. Por se çfarë nënkuptojnë këto zëra me shfaqje të viteve ’80-të është një absurditet, sepse po të shikosh opinionin e përgjithshëm filmat e Kinostudios dhe shfaqjet e teatrit të para viteve ’90-të vazhdojnë të shihen me një kureshtje të madhe. Kjo do të thotë që ka art të madh brenda tyre. Hiq anën ideologjike të tyre, por ka dhe vepra që nuk kanë fare ideologji. Përmend këtu veprën “Shi në plazh”, që nuk ka asnjë lloj politizimi, por ama ka vlera artistike. Ose “Mësuesi i letërsisë” që ka mbi katër dekada që u vu në skenë, por para disa ditësh vura re që kishte shumë klikime, 56 mijë. Pra shikohen veprat me ëndje. Ndërsa sot raporti mes teatrit modern dhe teatrit klasik shikohet sikur i ndan një oqean. Në mënyrë absolute jo. Po arriti që të shpërbëhet tradita të fillohet nga zero çdo gjë është e mbaruar. Ne dhe në atë periudhë kemi pasur shfaqje të karakterit europian. Mbaj mend kam vënë veprën “Shkallët” para viteve ’90-të e Ruzhdi Pulahës, që ishte një eksperiment që dhe në botë rrallë e bëjnë. Skenën e zhduka fare dhe e kam vënë shfaqjen në mes të sallës. Një ring boksi pa dekor. Unë bëja teatër dhe paraqisja para publikut atë mesazh që kishte vepra. Kujtoj në vitin 1972, Kujtim Spahivgoli vuri në skenë “Banja” e Majakovskit. Supermoderne, pa dekor. Përmend këtu regjisorin Pirro Mani, po a ka vepër më europiane se sa “Arturo Ui” që e vuri në vitet ’70-të. Këto elementë në regjinë shqiptare kanë qenë. Unë kam vënë dhe dy vepra të Kasem Trebeshinës siç është “Tiranozauri” dhe “Muzeu”, janë vepra moderne që janë vënë në 1997-1998. Pra mos të bëhet kjo ndarje këta janë të vjetrit e viteve para ’90-të dhe ne jemi të rinjtë e teatrit europian të këtyre viteve.

-Një nga problemet që ju keni shprehur për teatrin në vend ka qenë dhe ligji për artin që është i vitit 2010, ku përfshihet dhe teatri. Jemi në 2024, ku herë pas here nga artistët është pohuar për përmirësime ligjore. Çfarë mund të na thoni?

Teatri si institucion është njëlloj si para viteve ’90-të. Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” subvencionohet nga shteti, TKOB po nga shteti, ndërsa teatri Metropol, i Fierit, Vlorës, Korçës, Shkodrës, etj, nga bashkitë. Por disa bashki në rrethe nuk kanë mundësi ti subvencionojnë dhe i kanë eliminuar dhe aktorët, kanë shumë pak aktorë. Nuk ka trupa artistike si dikur në rrethe. Është një situatë katastrofike për teatrin. Shteti është neglizhent për teatrin. Ligji është rregullatori kryesor. Teatri nuk është futur në ekonominë e tregut. Çdo gjë është në ekonominë  e tregut, por teatri jo. Teatri ka ngelur i subvecionuar nga shteti ose bashkitë. Po trupat artistike private ku janë? Në një vend kapitalist, teatri duhet futur në ekonominë e tregut. Në Francë përshembull subvencionohen trupat private. Objektet artistike që  kanë qenë të para viteve ’90-të që një pjesë janë bosh ose janë tjetërsuar privatizoheshin dhe duhet t’iu jepeshin trupave private, ku të kishin objektin e tyre. Trupat private duhen subvencionuar njëlloj si trupat shtetërore të paktën për një periudhë 4 vjeçare. Nuk ka salla, nuk ka asnjë lloj kujdesi. Është tamam një jetim ky lloj arti që të vjen keq. Gjynah se në këtë vend ka vlerë artistike të jashtëzakonshme. Unë kam qenë në Paris para viteve ’90-të për të parë teatrin.   Konstatimi i parë që ishte në ato 30 a 40 shfaqje që pashë në atë periudhë të teatrove më të mira të Parisit unë nuk pashë një Kadri Roshi, një Sulejman Pitarka, nuk ndjeva një aktori si Naim Frashëri, një Ndriçim Xhepa, një Robert Ndrenika, nivele të kësaj natyre nuk i pashë. Pashë shfaqje shumë të mira, por nivel aktrimi me cilësi të jashtëzakonshme që ka aktori shqiptar është e rrallë. Kushtet te ne janë mizerabël. Kjo sallë te ArTurbina ku unë kam vënë shfaqjen është nga halli. Do bëhet teatri i ri, por sërish është pak. Janë me qindra aktorë që kanë mbaruar shkollën brenda dhe jashtë vendit dhe rrinë pa punë. Teatri Kombëtar sa aktorë do mbajë? 30, 40, 50 aktorë, po tjerët çfarë do bëjnë? Me ligjin e teatrit privat mblidhen 3-4 aktorë, kanë një regjisor të tyre gjejnë një vepër dhe në çdo lagje të Tiranës mund të bëhet teatër. Është një veprimtari për teatrin që nuk ka kujdes.

-Ju folët për teatrin, problemet sot me ligjin e artit dhe pse duhet të ketë përmirësime. Çfarë prisni nga ministria që drejton dhe Kulturën?

Unë kam pasur një mesazh me ministri e ri Blendi Gonxhja, ku ndër të tjera i shpreh çfarë idesh ka për të ardhmen e teatrit. Ai ka ide të mira, por akoma nuk e di se cili është projekti i tij për teatrin, por kam besim që diçka do të ndryshojë. Nëpërmjet kësaj interviste i bëj thirrje ministrit që të shikojë ligjin për teatrin sidomos për trupat private, ku të kenë fond të veçantë, organizim të veçantë dhe të jetë një jetë aktive e aktorëve të rinj.

-Si ka qenë rruga e Gëzim Kames me teatrin si regjisor i dy periudhave?

Unë punën që kam bërë me teatrin e kam bërë me shumë pasion dhe dashuri. Teatri ka filozofi të jetës. Filozofia është niveli më i lartë i inteligjencës dhe i kulturës së një njeriu. Unë në jetën time kam vënë deri tani mbi 65 vepra teatrore në skena. Jam regjisori i dy periudhave. Po të vihet re repertori im nuk ka ideologjizma, nuk ka peshën politike të asaj periudhe para ‘90’-tës. Pas viteve ’90-të kam qenë sigurisht si çdo regjisor, kam qenë shumë i lirë në zgjedhjen e repertorit dhe në shpërfaqjen e gjithë botës sime shpirtërore. Spektatorit nuk i kam dhënë vepra surrogato, por i kam dhënë vepra me mesazhe që m’i ka mirëpritur. Jam i plotësuar me miqtë e mi, kolegët, aktorët që kanë besim absolut kur punojnë në regjinë time. Kam një eksperiencë të madhe, sepse unë kam punuar me aktorin që ka themeluar Teatrin Kombëtar që në 1945 dhe me aktorin më të ri që sapo del nga bankat e shkollës. Kam punuar me aktorët shqiptarë nga më të mirët. Unë jam i plotësuar për artin që di të bëj, për mjeshtërinë e aktorit kam qenë dhe pedagog, kam eksperimentuar me studentët dhe këtë e kam hedhur në skenë me aktorët.

-Pas veprës “Biznesmeni”,  cili do të jetë projekti juaj i radhës në teatër?

Unë kam 25 vjet që dua të vë në skenë veprën “Kufoma e gjallë” e Tolstoit. Këtë vepër dua ta vë në skenë për nder të Aleksandër Moisiut, i cili me Fedjan ka bërë 1200 shfaqje në gjithë botën për tre vjet e gjysmë. Një punë e një aktor gjeni që është shqiptar dhe tek ne pak njihet. Por vepra kërkon financim të madh, sepse ka masë të madhe aktorësh. Por është vepër e një gjeniu si Tolstoi që e ka lënë amanet që të vihet pas vdekjes së tij dhe bie era teatër të vërtetë. Nëse do arrij të gjej financimet këtë vepër do ta sjell në skenë.

Intervistoi: Julia Vrapi

Veprat në skenë dhe vlerësimet

Gëzim Kame ka qenë pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” dhe dekan i këtij fakulteti në Institutin e Lartë të Arteve sot Universiteti i Arteve, udhëheqës artistik dhe Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, bashkëkrijues i së parës kompani private teatrale në vend, Publimedia, krijues i ish-teatrit Kame, i Festivalit Ballkanik të Teatrit “Battif”, si dhe aktor kinematografik. Si regjisor u shqua në shfaqje të suksesshme si “Shi në Plazh”, “Vizita e Damës Plakë”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Fernando Kraft më ka shkruar një letër”, “Stinë e mërzitshme në Olimp” , “Magjia e Madhe”, “Dasëm Gjaku”, “Të gjithë me huqe”, “Apologjia e Sokratit”, “Pjata prej druri”, “Mësuesi i letërsisë”, “Shkallët”, “Tokë e ndezur”, “Tiranozauri”, “Ishulli i çmendur”, “Darka e të marrëve”, “Stjuardesat”, “Kush e vrau Kastijin”, “Terror”, etj. Përveç Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe nëpër rrethe si Fier, Korçë, Berat, etj, si regjisor Gëzim Kame ka vënë shfaqje edhe në Tetarin Shqiptar të Shkupit, Teatrin Kombëtar të Kosovës apo dhe në teatrin e Gjakovës. “Fernando Kraft më ka shkruar një letër” është gjithashtu një nga pikat kulmore të karrierës së tij, për të cilën dramaturgu Tankred Dorst kur erdhi dhe e pa shfaqjen në Tiranë e konsideroi atë si vënien më të mirë në skenë krahasuar me vendet e tjera. Tankred Dorst dramaturg dhe akademik gjerman, autor i veprës ka thënë: “Është vënë në 25 teatro të Evropës, por vetëm në Tiranë e pashë ashtu si e mendoja kur e shkruaja”. Pasi ndjeji 3 ditë në Tiranë ai deklaroi “e ndjej veten filo shqiptar”. Gëzim Kame ka fituar çmimin “Regjisori më i mirë” me komedinë “Shi në plazh” 1984 festivali i teatrove në Tiranë; regjisori më i mirë me shfaqjen “Mësuesi i letërsisë” 1985 festivali i teatrove Tiranë, çmimi “Kult” 2006 si regjisori më i mirë i vitit. Çmimi i Karrierës në festivalin teatror “Moisiu 2”, regjisori më i mirë në shfaqjen “Magjia e madhe”, vlerësim në festivalin në Dibër të Madhe me “Pjata prej druri”. Në aktivitetin e tij ai ka marrë titullin “Mirënjohja e Tiranës”, urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mjeshtër i madh”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button