Dervishi: Një grup kriminal në Shqipëri po tejkalon fuqinë e shtetit
Gazetari Ferdinand Dervishi ka deklaruar se një grup shumë i fuqishëm kriminal në vend, po merr trajtën e një familjeje mafioze.
I ftuar në podkastin “Të Pashoq”, Dervishi u shpreh se aktualisht në Shqipëri nuk ka mafie të mirëfilltë si në Itali, edhe pse në botë flitet për mafien shqiptare.
Sipas gazetarit, ky grup kriminal ka lidhje të forta jashtë dhe po kalon financiarisht shtetin.
“Mund të jetë themeluar një grup i tillë. Kushtet që një grup të shkojë te një organizatë mafioze janë dy: Të ketë lidhje me organizatat e jashtme.
Që ato kanë vite që i kanë. Kushti i dytë që është përcaktues, të tejkalojë fuqinë e shtetit.
Unë kam indicie se një grup është duke tejkaluar shtetin. Nuk pyet më shtetin. Ne themi se jemi drejt themelimit të një organizate mafioze të mirëfilltë.
Drejt tendencës për të themeluar një të tillë. Kjo më lexohet mua dhe kolegëve të kronikës. Te ne nuk e bëjnë ligjin grupet kriminale. E bën politika. Ne kemi një shtet mafioz.
Shteti mafioz është tjetër gjë dhe një organizatë mafioze tjetër gjë. Një organizatë ka lidhje me krimin ordiner, në kuptimin jo pezhorativ, pra me drogën, vrasjet, etj.
Një mafia state, nuk ka lidhje me vrasjet, me drogën. Ka lidhje me organizmin e një shteti në mënyrë të tillë që të rrijë në një dorë. Nga një person që kontrollon mekanizmat e shtetit dhe bllokon gjithçka në favor të korrupsionit”, tha ai.
Dervishi u ndal edhe tek akuzat e emisionit “Report” në Rai 3 që flet për “narkoshtet”. Sipas tij nuk ka narkoshtet në Shqipëri, por dhe në asnjë vend tjetër.
“Ne themi narkoshtet. Unë nuk besoj se jemi narkoshtet. Nuk ka në botë narkoshtet. Shteti nuk rron me paratë e drogës. Shteti e ka plagë atë.
Nëse ne themi narkoshtet, ne e kemi pasur në vitin 2016 sepse ka lindur në tryezën e qeverisë, sipas Ahmetaj, me qëllim që të pasurohet vendi.
Asnjëherë nuk pasurohet vendi nga droga. Asnjëherë ato para nuk do shkonin te shqiptarët.
Do të shkonin te krimi, qeveritarët dhe te policia. Do vinin në pak xhepa. Kjo nuk u bë për mirëqenien, por për të mbushur ca xhepa. Nuk mund të themi që kemi tani.
Shteti nuk rron me kokainë që vjen në Durrës. Shteti mbahet me taksa. Na i marrin nga karburanti. Këto janë paratë që merr shteti”, tha ai.