“Çmendet” moti/ Breshër sa një kokërr arre në Gjinar të Elbasanit
Pasditen e kësaj të marte, në territorin e Bashkisë së Elbasanit janë shfaqur situata të çuditshme të motit. Pas orës 16:00 papritur moti ka ndryshuar dhe reshjet kanë kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të Elbasanit.
Në qytet ka rënë shi i imët, në zonën e Shpatit ka mbizotëruar mot ekstrem i shoqëruar nga një stuhi shiu i dendur dhe breshëri, madhësia e kokrrave të cilit ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe e pazakontë, pasi në disa zona sipas banorëve të fshatit Gjinar një kokërr breshëri ishte sa një kokërr arre.
Stuhia e frikshme sipas tyre zgjati rreth 2 orë dhe shkaktoi dëme të mëdha në të mbjellat dhe pemëtari, duke u shkaktuar humbje të mëdha fermerëve të Njësisë Administrative Gjinar në Bashkinë e Elbasanit.