Balla: Verifikime në qendra tregtare dhe hotele për standardet e sigurisë ndaj zjarrit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha sot se i ka kërkuar Shërbimit të Mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit që bashkëpunim me IKMT të zhvillojnë kontrolle pranë qendrave tregtare dhe hoteleve për verifikimin të gjitha standardeve dhe gatishmërisë ndaj zjarrit.
Ministri Balla, duke folur gjatë ceremonisë së dorëzimit të automjeteve të reja të shërbimit zjarrëfikës të financuara nga qeveria e Polonisë, përmes projektit PNUD për bashkitë Lezhë, Fier dhe Pogradec, tha se shumë shpjet do të publikohet dhe një raport për rezultatin e verifikimit të standardeve të mbrojtjes nga zjarrit të njësive pritëse.
“Mbi bazën e mësimeve të nxjerra nga ngjarjet e fundit, Tiranë, Fier, Lushnjë, na duhet që të gjitha palët e përfshira, përfshirë dhe pushtetin vendor, të punojnë për unifikimin e inspektimit të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, me qëllim që të rrisim dhe garantojmë sigurinë publike në shkallë vendi”, tha Balla.
Ministri i Brendshëm nënvizoi se Shqipëria duhet jetë kampione e Ballkanit jo vetëm në turizëm, por edhe sa i takon sigurisë.
“Shqipëria çdo ditë e më shumë, çdo vit e më shumë po konsolidohet si destinacion turistik, me një klimë, natyrë, mikpritje mbresëlënëse, por duhet të vazhdojmë të konsolidojmë edhe dimensionin e sigurisë, pasi Shqipëria duhet jetë kampione e Ballkanit jo vetëm në turizëm, por edhe sa i takon sigurisë”, përfundoi Balla.