Aktori Rikard Ljarja: Nuk mund të them poshtë diktatura, kam qenë artist, kam jetuar mirë! Sot familja shqiptare është shkatërruar
Aktori i njohur Rikard Ljarja në një intervistë të disa kohëve më parë, ka folur për kohën kur ka jetuar.
Ai shprehej se nuk mund të bënte hipokritin dhe të thoshte që nuk ka jetuar mirë në diktaturë.
“Unë në diktaturë ia kam kaluar shumë mirë, sepse të jesh në qendër të vëmendjes, të jesh në televizion për 20 vjet, çdo natë nuk është pak.
Kështu që diktatura tek unë nuk ka qenë… por, sigurisht si gjithë populli shqiptar kemi pasur probleme të mëdha e të vogla.
Ka pasur probleme, por për vete nuk mund të them ndonjë gjë, nuk mund të them: poshtë diktatura”, deklaronte Ljarja.
Teksa është pyetur se çfarë e shqetësonte sot, aktori Rikard Ljarja shprehej:
“Shqipëria s’ka mundësi. Mua më vjen keq për të rinjtë e talentuar, të jashtëzakonshëm që nuk kanë mundësi të zhvillohen, por iu ikin ditët me gjëra të vogla.
Po largohen nga kjo jetë me dëshirë çdo ditë djem të rinj.
“Pse i japin fund vetes? Çfarë halli kanë?
Ka gra që i abuzojnë në mënyrë të llahtarshme. Pse ndodh? A keqtrajtohet gruaja? Kjo është absurde.
Ka perversitete brenda familjes, llahtarina. Ndoshta kanë qenë edhe më përpara. Nuk kemi ditur gjë.
Nuk më vjen mirë që shtypi i proklamon, sepse ndodh që ndonjëherë i marrin si shembull”, shprehej ai.