Berisha humb Apelin, mbetet “non grata” në Britani: Kundërshtia për t’i ndaluar hyrjen në MB rrëzohet
Sali Berisha do të vijojë ta ketë të pamundur hyrjen në Britaninë e Madhe! Ish-presidenti dhe ish-kryeministri demokrat e humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office”.
Avokatët e zotit Berisha tentuan, por pa sukses, të rrëzojnë në këtë komision, dosjen britanike përmes të cilës “Home Office” e shpalli “non grata” më 19 korrik 2022.
Sipas britanikëve, ish-kryeministri ishte i përfshirë në korrupsion, ndërhyri në punët e drejtësisë dhe se kishte lidhje me krimin e organizuar.
Reuters ka publikuar vendimin e lexuar këtë të hënë në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”, nga ku gjykatësi i çështjes rrëzoi pretendimin e zotit Berisha se ai gëzonte imunitet dhe nuk mund të ndëshkohej në këtë mënyrë.
“E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për ti ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet”./oranews.tv