Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare Qazim Sejdini, ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit
Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.
Qazim Sejdini ishte kryetari i 22-të i Bashkisë së Elbasanit. Ai u zgjodh në mars të vitit 2007 dhe bëri betimin në maj të po atij viti, ndërsa e drejtoi bashkinë për tre mandate.
Lindi në Elbasan në 12 shkurt të 1951. Ndoqi shkollën e mesme “Jeronim De Rada” dhe vazhdoi edukimin e tij të lartë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, nga 1968-1970, në degën e Edukimit Fizik.
Nga 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987, ai ndoqi studimet në Institutin e edukimit fizik Vojo Kushi në Tiranë.
Në 1970 Sejdini kreu shërbimin ushtarak, më pas në 1973 ai punoi si mësues historie, gjeografie dhe edukimi fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Mal-it.
Më pas në vitin 1974, ai u bë instruktori i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992 ai punoi në Sport Klub Elbasani, fillimisht si Inspektor i lojrave me dorë e më pas ai zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit te Elbasanit.
Në 1995 Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Një vit më vonë ai u zgjodh President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i 2002 deri në maj 2004 ai ishte President i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Në tetor 2002 deri në maj 2005 ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Elbasanit.