Ndryshimi i rëndësishëm që duhet të bëni në jetën tuaj, do t’ju ndihmojë të merrni vendime më të zgjuara
Një hulumtim i publikuar në “Science Daily” pohon se 40% e veprimeve tona në jetën e përditshme bazohen në zakone dhe jo në vendime.
Pa dyshim, disa nga vendimet që do të na duhet të marrim mund të jenë vendimtare, ndërsa të tjerat mund të ndikojnë më pak tek ne. Jo të gjithë kanë të njëjtën rëndësi, ndaj nuk kemi nevojë t’u kushtojmë të gjithëve të njëjtën vëmendje dhe energji.
Të dhënat e hulumtimit tregojnë se sa më shumë vendime që duhet të merrni brenda një dite, aq më i madh është rreziku për të bërë një gabim, i cili mund t’ju kushtojë më vonë.
Për shembull, një biznesmen që vazhdimisht duhet të vendosë për çështje të rëndësishme të punës së tij, është e arsyeshme që në një moment gjatë ditës të rraskapitet dhe të ndihet i dobët mendërisht dhe fizikisht për të vazhduar të mendojë me të njëjtin ritëm. Përveç kësaj, ka mundësi që vendimet që do të marrë pas mesditës të jenë të gabuara, sepse nuk ka të njëjtin përqendrim që kishte në orët e mëngjesit.
Sipas Neuroscience, truri ynë zbërthen komponentë të ndryshëm për të çliruar energji. Një prej tyre është acidi glutamik, i cili duhet të jetë i pranishëm në përqendrimin e duhur dhe në zonën e duhur që truri të funksionojë në mënyrë efektive. Kur kjo është me bollëk, ndikon në mënyrën se si mendojmë dhe marrim vendime.
Në një eksperiment të publikuar në “Current Biology”, morën pjesë dy grupe, të cilëve iu kërkua të punonin për 6.5 orë duke bërë të njëjtat detyra, por me shkallë të ndryshme vështirësie. Grupi i parë duhej të merrej me çështje më të vështira se i dyti. Kur u matën indekset e lodhjes së pjesëmarrësve, ata në grupin e parë kishin norma më të larta.
Një studim tjetër i paraqitur në “Chronobiology International” vërtetoi se vendimet e marra në orët e mëngjesit priren të jenë më korrekte dhe më thelbësore, ndërsa ato që marrim në orët e pasdites ose të mbrëmjes janë zakonisht impulsive. Prandaj, ndërsa lodhja rritet, gjykimi ynë ndikohet dhe jemi të prirur për të bërë gabime.
Sipas këtij studimi, atëherë do të jetë e dobishme për jetën tonë të përditshme të vendosim për çështje kritike në orët e mëngjesit, përpara se të ngarkojmë mendjen me gjëra të tjera që mund të kenë më pak rëndësi. Nëse ne mund ta bëjmë këtë ndryshim, pa pasur nevojë të kontrollojmë ditën tonë 100%, atëherë vendimet tona do të jenë më të zgjuara dhe ne do të ndihemi më produktivë./SOT