Filmi “Gjeneral Gramafoni” i vitit 1978, regjisori Mevlan Shanaj dhe kineastë të tjerë e studiues: Viktor Gjika e ka vizatuar mjeshtërisht ngjarjen në mënyrë artistike, historia mbetet histori dhe jo dëshirë
Filmi “Gjeneral Gramafoni” me regji nga Viktor Gjika është prodhim i vitit 1978. Një film që i zhvillon ngjarjet në mesin e viteve ’30 në vendin tonë, por mendimet e piktorit Alush Shima për “Gjeneral Gramafonin” kanë ngjallur reagime të intelektualëve, ekspertëve të filmit, regjisorit Mevlan Shanaj, studiuesve e më gjerë. Regjisori Mevlan Shanaj ka ndarë në faqen e tij një video, ku piktori Alush Shima i ftuar në një emision në RTSH shprehet ndër të tjera: “A ka sens ky film që të shfaqet sot…”. Regjisori Mevlan Shanaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook, sipas të cilit është një mendim i papranueshëm. “Duke diskutuar për filmin “Gjeneral gramafoni” mendësi të tilla do e kishin lënë Shqipërinë në ekzotikën e romanit të Haki Stërmillit “Sikur të isha djalë”, i cili më 1936 klithi për realitetin e mjerueshëm! Nuk arrij të kuptoj këtë logjikë të shprehur?! Ku është shoqëria shqiptare e mbytur nga indiferentizmi! Nëse lejohet kjo filozofi ndaj artit si edhe fenomeneve të tjera sociale në emër të “lirisë” me keqardhje duhet të pranojmë një robëri të re, më e keqja: “Robëria e padijes””, shprehet Shanaj. Edhe kineasti Skënder Jaçe ka dalë kundër mendimit të piktorit Alush Shima. Kineasti Jaçe thotë se filmi mban vulën e kohës. “Z. Alush, je gabim në gjykim. Filmi mban vulën e kohës. Italia e pushtoi këtë vend, ky është fakt dhe nuk ka lidhje me kohën sot. Viktori skenarin e Vath Koreshit e ka vizatuar mjeshtërisht këtë ngjarje në mënyrë artistike, i cili është pëlqyer edhe jashtë në mjaft vende të botës. Ndaj kur bëjmë analiza duhet të jemi të kthjellët, që mos t’ju japim të rinjve receta me informacione të gabuara. Historia është dhe mbetet histori dhe jo dëshirë!”, shprehet Jaçe. Ndërsa regjisori Albert Minga përmes një komenti të tij në reagimin e Shanajt shprehet se është një marrëzi për çfarë ka shprehur Shima mbi filmin. “Thjeshtë, një marrëzi e frikshme nga ata që pretendojnë se e kuptojnë artin e madh! E turpshme!”, thotë Minga. Për studiuesin Auron Taren filmi “Gjeneral Gramafoni” është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe ideologjia nuk ia ul vlerat. “Ky film është përzgjedhur për t’u shfaqur në një event të rëndësishëm në Amerikë nga muzikologu Christopher King. Filmi është bazuar në ngjarje të vërteta. Ideologjia komuniste në fund të filmit nuk ia ul vlerat kurrsesi”, thotë Tare. Për filmin kanë reaguar dhe Muzafer Shkira, Ilir Hunci, etj.
Filmi “Gjeneral Gramafoni”
Filmi “Gjeneral Gramafoni” prodhim i vitit 1978 me regji nga Viktor Gjika, skenari është shkruar nga Vath Koreshi dhe muzika Aleksandër Peçi. Në mesin e viteve ’30 fillon penetrimi dhe parapërgatitja e pushtimit Italian të vitit 1939. Halit Berati, një klarinetist virtuoz dhe Parandili ftohen nga një sipërmarrës italian të incizojnë në pllaka gramafoni, meloditë e tyre të cilat do të shiten së bashku me muzikën italiane të kohës së fashizmit. Gjatë kësaj kohe fillojnë grevat e punëtorëve të naftës ku Halil Berati është punëtor. Aktorë në role Bujar Lako, Guljelm Radoja, Sheri Mita, Reshat Arbana, Sander Prosi, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Dhimitër Orgocka, etj. Filmi “Gjeneral Gramafoni” iu nënshtrua më parë procesit të restaurimit. Viktor Gjika (1937 – 2009), “Nderi i Kombit” la pas kryevepra të trashëgimisë sonë filmike. Regjisori Mevlan Shanaj më parë ka shprehur se filmat e tij kanë brenda dhe madhështinë historike. “Rrugë të bardha”, “Gjeneral Gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “I teti në bronz” apo dhe “Në çdo stinë” janë disa prej filmave që mbajnë emrin e mjeshtrit të kinematografisë shqiptare./SOT