“Gjuajta tim bir autik”, Edmond Tupes rrëfen pengun e tij: Më tha “o ba të kam xhan”. Më pas…
Shkrimtari Edmond Tupja i ftuar në emisionin “Mos i bjer me top” ka ndarë me publikun një moment të trishtë të jetës së tij.
Ai tregon se ka një djalë autik, por një gjë që i ka ngelur peng në jetë është kur e gjuajti atë, pasi nuk e linte të flinte gjumë. Nga lodhja dhe pagjumësia, Tupja tregon se qëlloi të birin që nuk po i linte të flinin dhe përgjigjja e të birit “të kam xhan o ba” e preku pa masë dhe e ndryshoi shumë.
Edmond Tupja: Momenti që më ka tronditur më shumë në jetën tme ishte kur djali u diagnostikua me autizëm. Nuk kishte ende dhunë, por rrinte me netë të tëra pa gjumë dhe neve nuk na lintë të flinim. Kam shkruar tek libri “dhimbja fal dashuri”. Në orët e gjumit krevati i djalit ishte nga ana ime, jo nga ana e gruas sime sepse ajo lodhej, iu përkushtua pafund, ajo është heronia e familjes time. Hoqi dorë nga piktura, ishte një piktore e mirë. Hoqi dorë nga ilustrimi i librave për fëmijë.
Kishim netë pa gjumë, të rrish pa gjumë është e tmerrshme. Nuk të çlodhej truri. Kishim javë të tëra kështu, isha aq i drobitur saqë nuk i përkisja vetes dhe në një moment të caktuar ai fliste, grindej, unë i trullosur nga pagjumësia, pashë një dorë që u çua dhe goditi tim bir, ishte dora ime. Isha i pavetëdijshëm se çfarë bëja dhe dëgjoj zërin e djalit “o më vrave o ba”. Pastaj dëgjova zërin tim “mirë ta bëra” dhe pastaj dëgjova tim bir që u çarmatosa komplet “të kam xhan o ba”.
Kjo “të kam xhan o ba”, kjo mua më ndryshoi (përlotet). Më këputi shpirtin, por më ndryshoi. Që atëherë e mblodha veten. Ata të japin dashuri. Kur e ëma i gatuan diçka që e ka qejf ai shkon pa u ndjerë nga mbrapa e puth në kurriz, “mami të kam xhan, babi të kam xhan, të kam këtu tek zemra”.