Sport

Kuqezinjtë mbyllin një javë suksesesh, spikatën Daku, Uzuni e Manaj

Me afrimin e Europianit lojtarët e Kombëtares e kanë shtuar “gazin” në kampionatet ku aktivizohen, për të pasur sa më shumë minuta në dispozicion dhe njëherësh për të përmirësuar statistikat e tyre sportive në fushë, në mënyrë që ta kenë të sigurt ftesën nga trajneri brazilian Silvinjo. Futbollistët e Kombëtares shqiptare që luajnë në kampionatet jashtë vendit, kanë mbyllur një tjetër javë me paraqitje pozitive me klubet e tyre përkatëse, duke dhënë kontributin me gola e asiste. Taulant Seferi shkëlqeu në Emiratet e Bashkuara Arabe me klubin e tij Bani Yas në fitoren 4-2 ndaj Hata. Sulmuesi kuqezi shënoi dy golat e parë të takimit, fillimisht në fundin e pjesës së parë (45+1) dhe në fraksionin e dytë në minutën e 51-të. Por Seferi nuk u ndal me kaq, pasi dhuroi edhe dy asiste për shokët e skuadrës në pjesën e dytë. Një paraqitje fantastike për Seferin që u përzgjodh edhe lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 9.8 nga sajti i specializuar për statistika sofascore. Myrto Uzuni dha kontributin e tij me një gol në fitoren 3-0 të Granadës ndaj Osasunës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi goli e dytë të takimit, teksa ky ishte goli i 11-të sezonal për Uzunin në La Liga.

Daku, një “snajper” në kampionatin rus

Mirlind Daku zhvilloi një tjetër paraqitje pozitive me skuadrën e tij Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi në ndeshjen e fundit ndaj Zenit ishte protagonist absolut në fitoren 2-0, teksa gjeti rrugën e rrjetës dhe asistoi për shokun e skuadrës. Daku fillimisht zhbllokoi takimin në minutën e 50-të, ndërsa në të 67-ën shërbeu saktë për Martinoviç që realizoi edhe golin e dytë. Në fakt, Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka gjetur për të dytën javë radhazi rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi i dha epërsinë Rubin Kazan në përballjen e javës së 26-të përballë Uralit. Daku ishte i papërmbajtshëm në minutën e 43-të, duke kaluar disa kundërshtare e me një goditje të bukur me të djathtën e dërgoi në rrjetë. Goli i shtatë për futbollistin nga Gjilani, i cili ka shërbyer dhe në 4 raste për shokët e skuadrës. Daku është një titullar i padiskutueshëm te Rubin Kazan dhe besimin e trajnerit po e shpërblen më së miri. 26-vjeçari po rezulton një nga lojtarët më në formë të Kombëtares së Shqipërisë dhe pret të jetë pjesë e listës së Silvinjos për në Kampionatin Europian që do të luhet gjatë kësaj vere në Gjermani. Shqipëria do të luajë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën në fazën e grupeve.

Rei Manaj vijon të tundë rrjetat

Në Turqi, rrugën e rrjetës e gjeti sërish Rei Manaj. Në takimin Sivaspor – Koniaspor ku ishin titullar të dy sulmuesit e Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi dhe Rei Manaj, ndeshja u vendos nga Manaj i cili shënoi golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën e tij. Ky ishte goli i 18-të sezonal për sulmuesin kuqezi në kampionatin turk. Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Frederik Veseli, Jon Mersinaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ernest Muçi dhe Arbnor Muçolli ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Elseid Hysaj, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Keidi Bare, Nedim Bajrami, Armando Broja, Arbër Hoxha dhe Arbnor Muja./SOT

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button