Masakra e Peshkëpisë, Braçe: Autorët dihen, drejtësia e re të hetojë ngjarjen deri në detaje
Deputeti i PS Erion Braçe, në fjalën e tij në parlament, ka kujtuar ngjarjen e rëndë të masakrës së Peshkëpisë.
Braçe theksoi se kjo ngjarje kurrë nuk është hetuar siç duhet dhe se institucionet e kohës nuk kanë bërë mjaftueshëm, për të zbardhur vrasjet e dy ushtarakëve shqiptarë.
Braçe tha se autorët e ngjarjes dihet dhe se drejtësia e re duhet të zbardhë gjithçka.
“30 vjet më parë, si sot, një organizatë e shpallur terroriste nga Greqia, mori përsipër sulmin e armatosur në postën e Peshkëpisë. Gjatë sulmit mbeten të vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe u lënduan edhe disa të tjerë. Organizata terroriste MAVI mori përsipër sulmin. Kjo çështje nuk është hetuar në detaje. Ngjarja ka persona të njohur të përfshirë gjerësisht, që mbështeten dhe nga politika. Një vit më pas ka pasur tjetër sulm në një tjetër postë. Ngjarja nuk u pasua me viktima. Greqia në atë kohë vuri para përgjegjësisë disa persona, shtetas shqiptarë dhe grekë, por u vunë në akuzë vetëm për armëmbajtje pa leje.
Autoritetet shqiptare nuk kanë këmbyer asnjë letër-porosi me shtetin grek në atë kohë. Personat janë të njohur dhe unë e kam foton e tyre, kjo është. Institucionet shqiptare nuk kanë dërguar asnjë letër-porosi për të vijuar hetimet. Kjo ngjarje nuk u mor seriozisht. Drejtësia e re të merret seriozisht me këtë ngjarje. Duhet të ndërtojmë raporte fqinjësie me shtetin grek, duke vendosur drejtësi. Nuk mundet që njerëz që janë terroristë në Greqi, të vijnë në Shqipëri dhe jo vetëm që janë brenda ligjit, por edhe dominojnë skenën politike”, deklaroi Braçe./oranews.tv