Bota

Dita Botërore e Ujit – Akuza ndaj korporatave për përvetësim të ujit në vendet e varfra

Ndërsa kjo e premte shënon Ditën Botërore të Ujit, Kombet e Bashkuara thonë se ekziston një rrezik në rritje i konfliktit për burime ujore. Sikurse njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, organizata e ndihmave Oxfam i ka akuzuar korporatat globale se po rrëmbejnë burimet ujore nga vendet më të varfra për të rritur fitimet e tyre.

Burimet ujore po shterojnë në Johanesburg të Afrikës së Jugut. Dalja jashtë funksionimit i ujësjellësit të qytetit ka prekur miliona njerëz. Në Soweto, në periferi të qytetit, mijëra njerëz futen në radhë për të marrë ujin që sillet me autobote çdo ditë.

“Po kalojmë një sfidë serioze, një periudhë shumë sfiduese për moshën time që duhet të mbaj bidonët me 20 litra ujë. Më e trishtueshme është se ne nuk e dimë se kur do të kemi ujë në çezmat tona”, thotë banorja Thabisile Mchunu.

Një nga shkaktarët është infrastruktura e shkatërruar. Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike kanë shkaktuar tharjen e lumenjve dhe rezervuarve në Afrikën e Jugut dhe shumë pjesë të tjera të botës.

Ndërsa Kombet e Bashkuara shënojnë Ditën Botërore të Ujit këtë të premte, vlerësohet se 2.2 miliardë njerëz jetojnë pa ujë të pijshëm të menaxhuar në mënyrë të sigurt.

Shkencëtarët e OKB-së thonë se afërsisht gjysma e popullsisë së botës po përjeton mungesë të theksuar uji për të paktën një pjesë të vitit. Vendet në zhvillim janë më të prekurat.

Në një raport të ri, organizata Oxfam i akuzon korporatat e mëdha për ndotje dhe rrëmbim burimesh jetike të ujit në kurriz të popullatës lokale, me qëllim përfitimi.

“Uji po shfrytëzohet kryesisht nga vendet e pasura duke privuar vendet e varfra që të kenë qasje tek burimet ujore”, thotë për Zërin e Amerikës Quentin Ghesquière, me organizatën Oxfam.

Organizata Oxfam i akuzon vendet më të pasura dhe korporatat globale se i kanë devijuar burimet e ujit nga vendet varfra për përdorim bujqësor ose industrial si dhe përmes importeve që shfrytëzojnë përdorimin e theksuar të burimeve ujore.

Sipas raportit, 70% e ujit shfrytëzohet nga sektori bujqësor, përfshirë sistemet vaditëse që mbështesin industrinë e prodhimit të mishit dhe biokarburantet.

Por analiza e organizatës Oxfam sugjeron se sektori privat po dështon të pakësojë ndikimin tek burimet ujore.

“Nga 350 korporata të analizuara përmes bazës së të dhënave, që përbëjnë gjysmën e të ardhurave bujqësore në botë, vetëm një në katër prej tyre po deklarojnë se po reduktojnë ndotjen dhe përdorimin e ujit”, thotë për Zërin e Amerikës Quentin Ghesquière, me organizatën Oxfam.

Kombet e Bashkuara po paralajmërojnë për rrezikun në rritje të konfliktit për burime uji. OKB-ja thotë se ndërsa shtetet menaxhojnë ndryshimet klimatike, migrimin masiv dhe trazirat politike, ato duhet që bashkëpunimin për burimet ujore ta vendosin në qendër të planeve të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button