Kulturë

Rrëfimi i Karafil Shenaj: Pas rënies së komunizmit emigrova në Greqi, sot jetojmë në një periudhë anti-art

Karafil Shena është një emër i njohur i kinematografisë shqiptare të para viteve ’90-të, por që herë pas here është rikthyer në shesh xhirim. Ai lindi në Sarandë ku mbaroi shkollën e mesme të kulturës në vitin 1976 dhe më pas kreu studimet  në Institutin e Lartë të Arteve (dega e dramës), të cilin e mbaroi në vitin 1981. Emigroi në Greqi në vitin 1993, ku ka interpretuar në teatrin dhe kinemanë greke dhe kohët e fundit ka marrë pjesë në disa produksione shqiptare. Në një intervistë për radio Ejani, aktori Shena tregon për fillimet e tij në kinematografi, rolet në film dhe teatër, eksperiencën me teatrin dhe kinemanë greke si dhe projektet e fundit artistike.

CMG: Z.Shena faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Karafil Shena: Edhe unë ju falenderoj sepse emisioni juaj më pëlqen shumë dhe ju ndjek edhe në Facebook, ku gjithmonë transmetoni gjëra me vlerë.

CMG: Flasim për rrugëtimin tuaj me kinematografinë në vitet 80-90, ku ju keni marrë pjesë në disa filma shqiptar në atë periudhë. Si nisi ky rrugëtim për ju?

Karafil Shena: Kinemaja ime, po e quaj kështu, hera e parë ka qenë viti 1980 kur përpara Institutit të Lartë të Arteve që quhej atëhere, ne kishim një orë pushimi dhe ndaluan një grup burrash, midis tyre ishte njëri pak si i thinjur, një burrë simpatik i cili erdhi dhe më tha se jam Viktor Gjika. Unë e kisha dëgjuar shumë, por si fytyrë nuk e njihja. Ai më tha se duhet të të bëj një foto provë dhe më bënë dy fotografi, një ballore dhe një profil dhe kjo ishte historia. Pastaj më thirrën për të bërë një kinoprovë ku e fitova rolin dhe kështu nisën xhirimet në shtatorin e vitit 1980. Unë në atë kohë isha në vitin e tretë dhe akoma se kishim mbrojtur diplomën. Diplomën e mbronim me teori dhe më një rol, ku qëlloi që e mbrojta me rolin e Fotaqit të filmit të Viktor Gjikës bashkë me Ardian Cergën dhe Arben Imamin.

Ky ishte shansi im i parë në kinema, të cilën do ta konsideroj që jam me fat që më erdhi tek dera. Pastaj ky film më hapi një rrugë shumë të mirë sepse për kohën ishte film që theu shumë akuj, skematizma dhe ishte një film me një nivel cilësor.

CMG: Ju keni luajtur disa filma në periudhën e artë të kinemasë së viteve 80-90. Kë do të veçonit si rolin më të dashur?

Karafil Shena: Kjo është pyetje shumë e vështirë të paktën për mua, sepse rolet janë si fëmijë. Nganjëherë rolin që e konsideron paksa më të dobët nga dikë tjetër, atë do më shumë. Është si puna e fëmijëve ku midis 5-6 fëmijëve që ka një prind, tek ai me dobësi ka më shumë dobësi prindi dhe kështu ndodh edhe me rolet.

Unë nuk jam për prerje me thikë që ky është roli më i mirë apo ky është më i dobëti. Për mua të gjitha rolet janë interesantë, por do ta veçoja si karakater rolin e parë të Fotaqit. E veçoj këtë rol sepse unë nuk jam ajo natyrë, por ishte rol i mirë dhe i spikatur brenda karakterit dhe të gjithave gjërave të kohës.

CMG: Për disa vite ju keni qenë i angazhuar dhe në Estradën e Sarandës. Si kanë qenë për ju këto vite të jetës artistike?

Karafil Shena: Kjo gjë është si një njeri që mbaron studimet dhe vjen në një trupë teatri ku aty fillon beteja. Shkolla patjetër që është frutëdhënëse, por në fund të fundit shkolla të mëson rrugët dhe për t’i shkeluar këto rrugë duhet të shkosh të punosh në teatër. Atëhere në përgjithësi brezi im, por dhe brezat e tjerë kishin  një paragjykim për estradën, na dukej një art tejet popullor pa i futur këmbët në të. Kur unë futa këmbët aty pashë që ishte krejt ndryshe dhe do të thoja që Estrada e Sarandës ku punova rreth 6 vjet e gjysëm më ka ndihmuar jashtëzakonisht për të bërë role të tjera më të mira dhe me gamë më të madhe.

Në estradë luan në një premierë në 4 ose 5 role dhe unë isha aktori i dytë me shkollë që vija aty sepse i pari ishte Vangjel Agora dhe bombardohej me skeçe nga regjisori në skenë. Unë isha fytyrë e paparë dhe e panjohur ku në 4 role që bën në një premierë është e vështirë që të gjithë t’i kesh të mirë. Ndërkohë në Teatrin e Durrësit kur shkova pas disa vitesh, të gjitha ato më dolën shumë përpara, role që unë i kisha skicuar dikur dhe tani në teatrin e Durrësit. Po kështu  luaja filma dhe i materializoja, sepse karaktereve ua kisha gjetur çelësin dhe në estradë. Estrada për mua ishte më profesionalja dhe më disiplinorja njëkohësisht, dhe dua të theksoj këtu dy njerëz që nuk jetojnë më, regjisorin e estradës Thoma Milaj dhe skenaristin Enver Isufi.

CMG: Cili ka qenë angazhimi juaj pas viteve 90-të me teatrin dhe kinemanë?

Karafil Shena: Pas viteve 90-të ndryshojnë gjërat. Vepra ime e fundit ka qenë në vitin 1989, një vepër e mrekullueshme e një shkrimtari brazilian e vënë në skenë nga Arben Imami. Pastaj gjërat ndryshuan rrënjësisht pas viteve 90-të, megjithëse kërkonim të mbaheshim në këmbë akoma. Kam luajtur “Dario Fo”, dhe një vepër të një shkrimtari shiptar, të cilën nuk e mbarova sepse në vitin 1993 u largova në Greqi. Megjithatë në Greqi aktiviteti im nuk pushoi. Kur shkon emigrant duhet të mendosh së pari për mbijetesën dhe të ardhura ekonomike, por teatrin nuk e harroja kurrë. Në vitin 2000 unë bëra debutimin e parë në teatrin skenik grek. Duheshin këto vite sepse teatri nuk të pranon nëse nuk njeh gjuhën dhe nuk e flet mirë, sepse teatri është dhe arti i të folurit, u mëson njerëzve se si duhet të flasin, se si duhet ta përdorin gjuhën. Kështu që kjo më mori disa vite.

Roli i parë ku unë luaja 40 minuta dhe në pjesën tjetër mbaroja, më solli shumë fat duke u parë nga shumë njerëz.  Atje një shfaqje teatrale nuk shfaqet 20 herë siç bëhet këtu në Teatrin kombëtar, por  shfaqet një sezon i tërë. Pra fillojnë shfaqjet në nëtor dhe mbarojnë në fund të prillit apo të majit. Pas kësaj shfaqje pata një rol të dytë në filmin “Mirupafshim”. Në kinemanë greke kam luajtur mbi 10-12 filma me produksion grek, ndërsa teatër më pak. Marrja pjesë në teatrin dhe kinemanë greke ishte një shkollë e dytë nga shumë pikëpamje. Sigurisht që nuk jam i pari unë sepse edhe të tjerë kanë ecur, madje është një brez i dytë tani të cilët flasin jashtëzakonisht mirë greqisht dhe janë pothuajse qytetarë grekë, që luajnë seriale shumë të mira në Greqi. Të paktën tre djem janë të mrekullueshëm dhe  talente të tilla të kësaj moshe i mungojnë teatrit dhe kinemasë tonë sot.

CMG: Sipas mendimit tuaj a ka sot kinema të mirëfilltë si dikur në Shqipëri?

Karafil Shena: Kinemaja e dikurshme ishte një kinema që shteti i atëhershëm bënte punën e vet dhe hidhte jashtëzakonisht lekë në këtë lloj arti. Në atë periudhë prodhoheshin 14 filma artistikë në vit, ndërsa sot prodhohet një gjysëm filmi apo treçerek filmi në vit. Kjo nuk do koment sepse ardhja e një sistemi të ri në Shqipëri solli një sistem do të thoja pa doreza antiart. Kam përshtypjen që nuk e duan artin, as artin e kinemasë, as artin teatral nuk e duan. Kam përshtypjen tjetër që i shqetëson dhe më duket sikur nuk rrinë rehat në një sallë teatri. Kjo gjë dalëngadalë filloi të shkatërrohet, por shkatërrimi sidomos erdhi nëpër rrethe. Saranda është një qytet që zhvillohet dita – ditës, por pas disa vitesh Saranda nuk do të ketë më bandë qyteti sepse ata muzikantë që luajnë sot janë në moshë dhe do të largohen dhe nuk është menduar për talente të reja. Nuk është menduar për një shkollë private apo për ato të ashtuquajtura shtëpitë e pionerit, që sot janë zëvendësuar me shtëpitë e fëmijëve për të cilën nuk ka asnjë lëndë aty, as për muzikë dhe për asgjë sepse nuk paguhen njerëzit. Kështu që pak nga pak këto do të rrënohen, siç kemi dhe një teatër të ndërtuar në vitin 1976 dhe i ka rënë suvaja, ku ka katër vjet që nuk funksionon fare me pretendimin që do t’i bëjnë një rregullim total, por të shohim.

CMG: Cilat kanë qenë projektet tuaja artistike së fundi në lidhje me kinematografinë?

Karafil Shena: Në lidhje me filmin unë vjet kam xhiruar katër filma, që nuk më ka ndodhur as në rininë time, dy në Greqi dhe dy në Shqipëri. Në Shqipëri kam xhiruar një film me skenar dhe regji të Edmond Topit që quhet “Vdekja le të presë”. Gjithashtu kam bërë dhe një film shumë të mirë me regji të Pluton Vasit dhe skenar të Bashkim Hoxhës, fotografi të Spartak Papadhimitrit që titullohet “Këtu vallëzohet me hijet”, i cili ka mbaruar dhe do të jepet se shpejti nëpër sallat e kinemasë.

Me kinemanë kohët e fundit kam pasur një përqasje më të mirë sesa me teatrin. Keq më vjen për teatrin se e dua shumë, por të dyja i dua shumë sepse duken sikur nuk ngjajnë me njëra-tjetrën por kanë një lidhje të jashtëzakonshme. Pa teatrin aktori nuk kultivohet dhe nuk ecën përpara, dhe aktorët duhet të luajnë të paktën në teatër që të jenë gati për film. Përveç pretendimeve që kemi sigurisht që ka dhe anët e saj negative të një vendi të varfër me probleme të mëdha sociale, por nuk dua të pranoj një gjë prej atyre që na financojnë sepse ato pak para që hedhin për ne ju duket sikur i hedhin poshtë dhe i çojnë dëm. Nuk më vjen fare mirë që Maqedonia e Veriut apo Kosova të bëjnë filma më shumë nga ne, jo se ne jemi më të mirët, por kemi pasur një traditë ndryshe. Unë nuk them të bëjnë 14 filma në vit sepse ajo nuk ka për të ndodhur më në historinë e Shqipërisë./aktoretshqiptare.com

Intervistoi  Gazmend Agaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button