Kulturë

Tradita e lashtë turke e fallit me llumin e kafesë, mbi 500-vjeçare – UDHËTIME

Praktika e parashikimit të fatit nga llumi i kafesë ose gjethet e çajit, mund të gjurmohet të paktën 500 vjet në Turqi.

Arti turk i të treguarit të fatit nga llumi i kafesë mund të gjurmohet të paktën deri para 500 vjetësh.

Çdo ditë, miliona njerëz mbështeten te fuqia e kafeinës për t’u ngritur nga krevati në mëngjes, për të rritur përqendrimin e tyre në punë ose për të rritur nivelin e energjisë, shkruan Frankie Adkins e BBC.

Megjithëse besohet gjerësisht se kokrrat e kafesë u kultivuan për herë të parë në malësitë e Etiopisë, ishte meritë e Perandorisë Osmane popullarizimi i pirjes së kafesë.

Të sjella nga një guvernator i shekullit të 16-të nga Jemeni në pallatin e sulltan Sulejmanit në Stamboll, që atëherë quhej Konstandinopojë, kokrrat e kafesë të ngjashme me qershinë piqeshin, bluheshin dhe u shtohej ujë. Kjo përzierje zihej me sheqer në një tenxhere bakri, të njohur si xhezve mbi një rërë të nxehur nga zjarri.Kafeneja e parë në histori u hap në Stamboll në 1554 dhe në gjysmën e parë të shekullit të 17-të rreth 600 kafene ishin ngritur në të gjithë qytetin. Pikërisht atëherë lindi kultura e kafesë, siç e njohim sot.

Por kjo nuk ishte si “Starbucks” thotë Gizem Salcigil Ëhite, e cila ka punuar për më shumë se një dekadë për të prezantuar zakonet unike dhe nderimin e Turqisë për kafenë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet biznesit të saj, “Turkish Coffee Lady”.

“Kafja turke nuk është ai lloj kafeje që merret me vete”, tha ajo. “Është vendi ku ju shijoni momentin. Simbolizon mikpritjen, miqësinë dhe i bashkon njerëzit.”

E zhytur në traditë, kafeja turke u përfshi në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s në vitin 2013. Këtu, kafeja është një shtyllë në sebepe shoqërore, duke luajtur rol në ceremonitë e fejesës, të takimeve familjare dhe festave. Megjithatë, një nga ritualet më të ngatërruar është falli ose arti i lashtë i leximit të fatit nga llumi i kafesë.

Tradita mund të haset që te haremi i sulltan Sulejmanit, pasi gratë ishin të përjashtuara nga kafenetë publike.

Në vend të kësaj, falltaret ose fallxhorët, u lejuan të hynin në harem për të lexuar figurat që shfaqeshin në llumin e  kafesë. Në kulturat e tjera, hamendja praktikohej me gjethe çaji ose mbetje të verës, por në Stamboll llumi i kafesë u bë shpejt mjeti i preferuar i komunikimit. Rituali ishte një mënyrë për të shkëmbyer  lajme dhe thashetheme, duke përfshirë gratë e favorizuara nga Sulltani, shpjegoi Salcigil Ëhite.

Më shumë se 500 vjet më vonë, tasografia (praktika e tregimit të fatit nga llumi i kafesë ose gjethet e çajit) është ende e fortë në Turqi. Parashikuesit e fatit ofrojnë udhëzime shpirtërore në disa kafene tradicionale, por gjithashtu kanë evoluar edhe për ndjekësit e kohëve moderne. Miliona turq tani abonohen në aplikacione që ofrojnë lexime kafeje të krijuara nga Inteligjenca Artificiale ose që i lidhin me fallxhorët virtualë.

Në një udhëtim të fundit në Stamboll me nënën time, vizitova një nga kafenetë tradicionale të qytetit në kërkim të një parashikimi në të ardhmen.

Shumica e vizitorëve që kërkojnë fallxhore drejtohen drejt dritave të shndritshme të Avenue İstiklal, ku tabela neoni shfaqin letra tarot dhe kryeengjëj.

Në vend të kësaj, kisha rregulluar të takoja Roza Mutlu, e cila lexon fatin e vizitorëve duke çmitizuar rregullat dhe ritualet e ndërlikuara që rrethojnë kafenë turke.

E veshur me xhinse dhe një kapuç, ajo më çoi mua dhe nënën time në një kafene klasike në Beyoğlu, ku klientët e tjerë po shijonin mëngjesin, po shkonin në punë dhe po shoqëroheshin me miqtë.

Ajo porositi disa filxhanë të thjeshtë kafeje, të cilat nuk kishin sipër as qumsht, as shkumë apo shurupe të zbukuruara, por ishin të mbushura me simbolika. Leximi i kafesë është matriarkal, zakonisht kalohet nga gjyshet te nënat, tha ajo, dhe Mutlu u bë e njohur në shkollën e mesme kur zbuloi aftësinë e saj për të interpretuar të ardhmen.

Një kamerier na solli kafetë dhe Mutlu ia kaloi menjëherë filxhanin më të shkumëzuar më të madhit në tavolinë, nënës sime, në shenjë respekti. Ne pinim kafetë, duke buzëqeshur pavarësisht nga shija intensive, e hidhur, derisa mbeti vetëm llumi.

Më pas shprehëm një dëshirë, e rrotulluam kupën tri herë dhe e kthyem përmbys në pjatë për pesë minuta, në mënyrë që të qetësohej. Vendosëm një unazë ose monedhë në majë të kupës, në varësi të faktit nëse donim të fokusoheshim te marrëdhëniet apo biznesi.

Në fund, përsëritëm frazën neyse halim çiksin falim (“çfarëdo që kam, le të dalë në filxhanin tim”) dhe e ngritëm filxhanin për të parë figurat.

Unë psherëtiva e lehtësuar që kafja e mbetur në fund nuk kishte formuar një gungë, për të cilën Mutlu paralajmëroi se ishte shenja e syrit të keq. 

Me gishtin e saj, Mutlu gjurmoi njërën anë të kupës për të treguar të kaluarën dhe anën tjetër, të ardhmen. Ajo foli me një fjalor me modele dhe forma, duke u përpjekur të dekodonte kafshët, numrat, ikonat dhe shkronjat. Një zog, për shembull, është një ogur i lajmit të mirë, një kalë – një princ ose princeshë, një peshk është një fat i mirë dhe një gjarpër – armik.

Leximet, na tha ajo, nuk kanë të bëjnë vetëm me simbolet, por me hijet, përmasat e formave dhe, në thelb, energjinë e atij që pi kafe.

“Ne nuk i ekzagjerojmë leximet tona, por ato na ndihmojnë të na udhëheqin,” tha Mutlu. Me fjalë të tjera, njerëzit nuk duhet t’i marrin si ungjill profecitë e divorceve, shtatzënive ose ndryshimeve në karrierë, megjithëse Mutlu thotë se shumë nga vizitorët e saj e kanë kontaktuar më pas për të konfirmuar pabesueshmërinë e leximeve të saj.

Falli është gjithashtu një mënyrë për të krijuar lidhje më të thella dhe më të shpejta, tha ajo. Për shembull, kur Mutlu rilidhet me miqtë e ngushtë pas disa vitesh, ajo thotë se mund t’i anashkalojë bisedat e vogla, duke u futur direkt në çështjet e zemrës. “Kam marrëdhënie më të ngushta falë këtyre llumeve të kafesë. Ne mund të flasim për gjithçka, që nga baballarët tanë deri te shqetësimet tona. Është një rrugë e shkurtër për të hyrë në thelb të bisedës.”/ar.sh/SYRI.NET

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button