Kërcënimi ndaj gazetarit Myzyraj, Zhupa: Të hetohet me seriozitet, autorët të vihen para ligjit
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar për kërcënimin ndaj gazetarit të Ora News, Isa Myzyraj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa kërkoi që të merren masa për identifikimin e autorit dhe të vihen para ligjit.
Postimi i Ina Zhupës:
Një kërcënim i rëndë në drejtim të gazetarit Isa Myzyraj, ka ndodhur nëpërmjet një emaili në adresën e tij të punës.
Si anëtare e komisionit të medias dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt, që vjen për shkak të profesionit të gazetarit.
Shpreh shqetësimin e thellë sa herë ka të tilla akte ndaj gazetarëve të guximshëm, që punojnë në shërbim të interesit publik.
Kërkoj nga autoritetet ligjzbatuese të marrin masa për identifikimin e autorit dhe vënien para përgjegjësisë ligjore.
Këto veprime duhen hetuar me seriozitet dhe me shpejtësi maksimale, për të garantuar lirinë dhe sigurinë e gazetarit por edhe për një klimë të qetë për raportimin që duhet të gëzoj çdo gazetar dhe profesionist i medias në vend./oranews.tv