Kërcënohet gazetari i “Ora News”, Isa Myzyraj, “Safe Jornalist”: Narrativa të rrezikshme
Ditën e djeshme është shënuar një ngjarje e rëndë në redaksinë e lajmeve të televizionit “Ora News”, ku gazetari Isa Myzyraj është kërcënuar me jetë përmes një e-maili anonim të mbërritur në postën elektronike të këtij televizioni.
“Haj Hitler, Hitler, Hitler. Ti dhe të gjithë kur**t LGBT, vdekje, vdekje, vdekje. Ne nazistët do rikthehemi dhe do të jetojmë në Tiranë për të ringjallur Hitlerin, Hitlerin, Hitlerin. Përshëndetje Isa Myzyraj, për shkak se më more vendin e punës, kjo është ajo çfarë do të ndodhë ty së shpejti. Ne do të ia bëjmë Isa-s siç bëri Hitleri”, shkruhet në mesazhin kërcënues.
Reagimi i “Safe Jornalist”
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar rrjeti ndërkombëtar i reporterëve, “Safe Jornalist”.
“Më 12 mars 2024, një email nga një llogari e dyshimtë u mor në kutinë e postës elektronike të ekipit redaktues të televizionit Ora News dhe menaxhmentit të tij. Përmbajtja e këtij komunikimi kërcënon shprehimisht jetën e gazetarit të Ora News, Isa Myzyraj.
Mesazhi përmban një gjuhë të rrezikshme dhe antisemitike, duke shpërndarë jo vetëm mesazhe kërcënuese në lidhje me integritetin profesional të gazetarit Myzyraj, por edhe duke përdorur narrativa të bazuara në orientimin seksual.
“Safe Jornalist” shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me këtë rast të paprecedentë, i cili cenon fuqishëm lirinë e medias, si dhe integritetin personal dhe profesional të gazetarit Myzyraj. Është thelbësore të adresohen dhe të merren hapa të menjëhershëm për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve, duke kundërshtuar çdo formë kërcënimi dhe dhune në shoqërinë tonë”, thekson “Safe Jornalist”.
Denoncimi i gazetarit
Përmes një postimi në rrjetet sociale ku ka ndarë dhe mesazhin kërcënues që u ka mbërritur drejtuesve të televizionit ku ai punon, Myzyraj shprehet se një mesazh i tillë vjen pas aktivizimit të tij në kauzat e Shoqërisë Civile, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndërkohë shton se do i drejtohet Policisë së Shtetit për të bërë verifikimet e nevojshme.
“Në emailet e Drejtuesve të Televizionit ku unë Punoj ka mbërritur sot një mesazh kërcënues ndaj meje. Sigurisht që do të ndërmarr hapat ligjorë duke e denoncuar në Policinë e Shtetit këtë email të mbërritur tek drejtuesit e televizionit. Gjuha e urrejtjes ndaj aktivistëve sigurisht që nxitet nga personazhe të cilët kanë gjetur hapësira si në mjedise publike ashtu edhe në media. Pasojë e drejtpërdrejtë e fushatave të shpifjeve dhe dezinformimit nga grupacione ekstremiste janë këto kërcënime mjaft shqetësuese jo vetëm ndaj meje por ndaj të gjithë aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Kërcënimi vjen pak javë pasi Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara u kërcënuan me vrasje për shkak të aktivizmit të tyre. Me këtë rast u bëj thirrje institucioneve që t’i marrin me seriozitet këto akte dhe të vendosin para drejtësisë përgjegjësit”, theksoi gazetari Isa Myzyraj./oranews.tv