Protestë në Vlorë, banorët: Nëse na merrni lumin e Shushicës, këtu do të fluturojnë qyqet e korbat!
Banorët e Lumit të Vlorës janë ngritur sot në protestë kundër projektit që u merr ujin e lumit të Shushicës për një ujësjellës në Himarë. Banorët kanë bllokuar rrugën me thirrjet e tyre dhe policia ka ndërhyrë duke u kërkuar të ndërpresin protestën. Ndër protestuesit kishte intelektualë të njohur, por spikati këngëtari i mirënjohur Nazif Çela.
Një nga protestuesit, që kërkoi me zë se ku ishte sot, deputeti i PS Vullnet Sinaj, u bëri thirrje fshatrave të tjera të bashkohen në protestë për të mos lejuar devijimin e Shushicës:
“Banorë, asnjë nuk është me ju. Qeverinë e keni kundër. Parlamentin e keni kundër. Deputetët e zonës në pjesën më të madhe i keni kundër. Vetëm ju mund t’i bëni derman këtij vendi.
O sot, o kurrë më! Këtu, nëse ky lumë merret, këtu do fluturojë qyqja e do të këndojnë korbat! Ju uroj që ta vazhdoni këtë protestë dhe të vazhdoni.”
Më pas e mori fjalën ai që protestuesit vetë e prezantuan si bilbili i këngës labe, Nazif Çela.
Ai tha: “Ju përgëzoj të gjithëve që keni ardhur në këtë protestë, jetike për ne të Lumit të Vlorës. Unë si këngëtar, në Shushicën shushurimë, mora zërin, melodinë.
Dhe këto duan të na i heqin,duan të na i zhdukin oligarkët e tyre dhe duan t’ua japin atyre ujin e pijshëm, që ka shekuj të tërë këtu në Lumë të Vlorës.
Rrjedhën ia ka dhënë Zoti, nuk ia ka dhënë robi, kështu që këtë vendosje sot këtu duhet edhe më shumë të tjerë, të mblidhen të gjithë fshatrat këtu. Ja gjakun e japim dhe lumin, jo!”/oranews.tv