Artistët Shqiptar

Reshat Arbana: Udhëtimi i panjohur në Austri dhe si pamë për herë të parë striptizëm në Vjenë më 1982

Aktorin e madh, fati e ndihmoi të kishte profesor, korifeun e artit shqiptar, Kadri Roshin, dhe më pas kur filloi punë në teatër, të interpretonte me Naim Frashërin, Sandër Prosin, Violeta Manushin, M. Logoreci, P. Gjoka, S. Pitarka, P. Mima, L. Qerimi, D. Pelingu, Gj. Karma, M. Xhepa, R.Trebicka, L.Filipi e plot talente të tjerë të artit shqiptar. Kishte një nur plot hir skenik, e personalitet, që e bëri të ndriste në artin e shtatë. Zotëronte trekëndëshin e artë, pamjen, zërin dhe interpretimin drithërues. Aftësia që kishte për të zënë miq, e ndihmoi, të qëmtonte karaktere. Shoqërimi, qëndrimi dhe bisedat me njerëz të profesioneve dhe moshave të ndryshme, psikologjia dhe mentaliteti i tyre, e bënë që të qëmtonte dhe sjellje të njerëzve të thjeshtë, duke krijuar një bagazh eksperiencash të pafundme në rolet e tij. Kështu, ai do të vinte i besueshëm e i ngrohtë, në portretizimin e Isa Boletinit në filmin “Nëntori i dytë”, falë dhe ngjashmërisë, e përshtatshmërisë së tij fizike me këtë figurë të madhe historike. Por në jetën e tij ka një moment shumë të veçantë kur po realizonin filmin  “Gracka”.

Intervistoi  Albert Z. Zholi

Kush ka qene filmi më i veçantë që keni realizuar jashtë shtetit dhe çfarë mbani mend nga udhëtimi?

Udhëtim i veçantë ka qenë ai i vitit 1982, me  filmin “Gracka” me skenar të  Neshat Tozaj. Duhet të xhironin në Austri. Shkuan si përfaqësues të Dhomës së Tregtisë. Ky ishte një  sebep për të marrë vizat. Për herë të parë udhëtoja me aeroplan. Dhe sigurisht që do ndodhnin dhe surpriza.  Pasi zumë vendet në avion dhe u nisëm, stjuardesa vjen me një tabaka me disa sende që na u dukën si çamçakëz. Nuk  pritëm dhe pasi i morëm,  Luan Qerimi i futi në gojë dhe përnjëherësh reagoi. Përnjëherësh ndali…Pa dikë në avion  që po hapte atë pako në formën e një pakete “çamçakëzi” dhe po fshinte fytyrën…ishin letra të lagura pra…Qeshëm ashtu mbyturazi. Nuk kishim parë kurrë…Nejse. Pasdite vonë  arritëm në Budapest. Aty na morën përfaqësues të Ambasadës shqiptare . Pas 3 orësh arritëm në Vjenë.

Ku u vendosët?

U vendosëm në Hotel “Kongresi”. Hoteli i shqiptarëve siç e quanin. Kjo për shkak se me sa  duket  ishte më i liri. Saimiri, Spiro, Luani, Bashkimi u vendosën në një dhomë të madhe,  kurse unë në një  dhomë të vogël me krevat tek, më vete. Të nesërmen, në Ambasadë, na priti ambasadori Musin Kroi.

Ku i nisët xhirimet e para? 

Xhirimet e para i nisëm nga një stacion metroje në  qendrën e Vjenës. Me frikë të madhe sepse mendonim se do na  thoshin ndonjë gjë, do na kërkonin  ndonjë dokument. Mirëpo nuk  ndodhi asgjë. Aty pranë,  dy policë simpatikë me  rroba, uniforma të zeza ‘shik’  na  ndiqnin gjatë  xhirimeve e qeshnin e bisedonin me njëri –tjetrin. Saimiri  tha:-Hajde, hajde vazhdojmë xhirimet. Nuk kanë ndërmend me na thënë  gjë…Janë thjesht, kuriozë.

Tek xhironim, na afrohet një djalë tek të  tridhjetat dhe na pyet.  U step kur i thamë se jemi shqiptarë. Oooo Albaniesh…dhe ia nisi të këndojë sinjalin e emisionit në radio për shqiptarët jashtë atdheut

Në ara, kantiere fabrika…. U çuditëm! Kam simpati për Shqipërinë-nisi të flasë. Dëgjoj radio Tiranën çdo herë. Atje te ju është demokracia e vërtetë…Ç’demokraci është kjo e jona, kur shefi im paguhet 20 herë më shumë se unë. Ai nuk mund të jetë  20 apo 25  herë ma i mirë se unë, por ky qenka kapitalizmi. Do të  kisha  dëshirë të vija njëherë atje në Shqipëri dhe do të bëj çmos, -po, po do të vij, një ditë…Shpresoj.

I ziu djalë, ish ndikuar boll nga propaganda për Shqipërinë,  e cila me  valët radiofonike mbulonte një pjesë të mirë të  botës…Të nesërmen xhiruam në një mol të bukur  buzë Danubit. Aty, ishin ankoruar shumë varka me vela e me motor. Një vend i mrekullueshëm. Pasi morëm leje nga pronarja, një grua e shëndoshë, nisëm xhirimet. Unë bashkë me Luan Qerimin ecnim anës lumit duke dialoguar. Një moment,  zgjata dorën dhe këputa një gjethe nga shelgu vajtues, që na varej mbi krye. Një thirrje e fortë më bëri të stopohem:Nai!

-Bo, bo , ç’ndodhi!

-Nai…Nai…Nai dhe vazhdoi të fliste pa ndalur. Kuptohet faji ishte imi që kisha guxuar të prekja e këpusja  një gjethe të tij, apo një degëz të vogël. Sebep ish bërë gjethi i këputur.

“Hajde shtet hajde …për një gjethe, oh ju lumsha!”  thashë me vete, “po prandaj e keni qëndisur e zbukuruar vendin tuaj….” . I kërkuam falje dhe vazhduan punën pa trazuar asgjë prej gjëje..Nuk guxonim të preknin më asgjë, në atë mal të mrekullueshëm…Me vehte mendova “E moj zonjë ty të lumtë. Por po të vish te ne mund të thyesh një degë e mund ta shkulësh fare nga rrënjët pemën, e nuk do të  thotë askush asgjë! Kur vallë do të bëhemi ndonjëherë sa çereku i tyre?! Eh s’kemi shanse…jo…duhet kohë…shumë kohë…

Çdo gjë  në atë vend ishte qëndisur me dorë,  e ruhej me zemër. Gjithkund dekor i përkryer. S’kishe nevojë të rregulloje asgjë për qëllimet e njërës apo tjetrës skenë, a episode të  filmit. Tjetër kush i kish bërë ato. I kishim të gatshme.

Nga takimet aty çfarë veçon?

Që nga Tirana ishte biseduar që një ditë do të na priste një person  tepër i njohur, president i federatës së futbollit Austriak. E quanin OTTO. Në shtëpinë e tij na udhëhoqi shoferi i ambasadës. Një vilë tejet luksoze. Në verandën  përpara  shtëpisë, qëndronte shtruar një tavolinë e mbushur plot e përplot, me të  gjithë të mirat e zotit. Te dera na u sul një qen i madh, pastor Tedesk i quajtur Marko, që hidhej mbi derën e hekurt, duke  lehur. Shpejt erdhi zoti OTTO dhe na uroi mirëseardhjen. Na drejtoi për te tavolina  e shtruar. Zotëria  ishte një mik i Mehdi Bushatit,  kryetari i federatës shqiptare  të futbollit, të asaj kohe…Ishin ditë të bukura maji…

Hëngrëm e pimë e biseduan gjerë e gjatë për futbollin. OTTO ish shumë i ngarkuar sepse ishte në prag të  kampionatit Evropian. Pasi folëm gjerë e gjatë,  operatorit   Bashkim Asllani i lindi ideja që të bënim një lojë me thyerjen e krahut ashtu si Skënderbeu me Gjinin te filmi “Skënderbeu”. Ndeshja qe e fortë dhe  Bashkimi ia theu me pak mundim. I prekur në sedër Otto vendosi apo më  mirë kërkoi ta bënin  edhe një herë provën. Dhe kështu bënë. Nisi loja dhe Bashkimi i fuqishëm ia theu përsëri, po kur ia ktheu rrafsh në tryezë, tavolina u kthye dhe u rrëzua, duke shpërndarë, në fushën e barit gjithçka ndodhej mbi të.

Shtangëm të gjithë, por Otto na qetësoi;

-Mos u shqetësoni! Kainen problem!…

Dhe porositi personin që shërbente ta rregullonte dhe shtronte përsëri.

Pas kësaj skene, Saimiri i kërkoi t’i sugjeronte  një kabare, sepse duhej për të xhiruar një skenë filmi…

-Patjetër, Kabare “Rex”, ndër më të mirat,- foli menjëherë Otto.

Mori telefonin, formoi numrin dhe bisedoi me pronarin e kabaresë, që e kishte mik.

– Do shkoni rreth orës 21:00. Do ju mirëpresë.

E falënderuam me zemër  për gatishmërinë e mikpritjen e treguar, dhe pasi   u ndamë me këtë njeri të mirë,  u kthyem në hotel. Rreth orës 21:00 morëm rrugën për tek Rexi. Badigardi te dera e kabaresë ishte në dijeni dhe na ftoi brenda, ku na priti buzë gaz pronari, i cili na drejtoi te një tavolinë, mbi të cilën qëndronte një shishe dhe gotat e shampanjës.

-Urdhëroni uluni. Atë shishe e keni nga unë …. Çdo merrni mbi të, do të paguani, urdhëroni…Zini vend… Ju lutem!

Zumë vend njëri pas tjetrit. Një skenë  e vogël me një glob të madh në mes, një muzikë e lehtë e katër-pesë tavolina  me njerëz. Kamerieri erdhi, hapi shishen e shampanjës dhe na hodhi të  gjithëve nga  pak.  E falënderuan dhe panë njëri-tjetrin në sy. Brenda gotave ish një si pip me të cilën pihen lëngjet, por kish një tapë në  fund të pipit. Na habiti pak… Thithëm nëpërmjet pipit por më kot. Pipi nuk kish vrimë… ndaj dhe nuk tërhiqte lëng. Por e  gjetëm. Në një tavolinë  larg nesh,  një person pasi mbushi gotën me shampanjë nisi ta rrotullojë pipin… A e gjetën. Ishte e thjeshtë. Ai pip duhej për të krijuar shkumë. Rrotulluam të  gjithë në të njëjtën kohë pipat dhe i trokitëm  gotat…duke qeshur me injorancën tonë…

Rreth orës 22:00, një muzikë  ritmike ftoi në  skenë njërën nga  femrat. Ajo  nisi të  lëvizte sipas ritmit muzikor dhe rrotullohej rreth tubit në mënyrë provokuese,  duke  luajtur me reçipetat dhe duke zbuluar herë njërin gji herë tjetrën e më  pas të dy. Kaloi një  copë herë…dhe i  hoqi fare i flaku në skenë … Me sy të  zgurdulluar që të gjithë ndoqëm deri në fund striptizën e saj. Një pauzë e shkurtër dhe nuk vonoi dhe doli një tjetër femër. I njëjti  ritëm, kur mbaroi mësuam që kjo e  dyta  ish polake. Kish qenë balerinë e kishte kërcyer në operën e  Varshavës, por kishte ardhur në Vjenë për të  fituar më shumë. E ftuan në  tavolinë. Dinte rusisht, italisht dhe anglisht. U tregoi se nuk e kishte të lehtë, por duhej jetuar. Saimiri i kërkoi  kamerierit të  sillte një shishe shampanjë.

-Do ta  paguajmë të gjithë-jeni dakord?

-Po nuk  dimë sa kushton…A do ta përballojmë?

-Sado të kushtojë …Të pestë sa jemi do ta paguajmë.

Nejse, koha  kaloi.  Muhabeti  u ëmbëlsua. Spiro përkthente shumë mirë rusisht dhe italisht.  Dikur i  erdhi radha vajzës nga Polonia, e kreu numrin e saj, dhe erdhi përsëri u ul mes nesh. Ndërkohë salla u mbush. Erdhën edhe të moshuar. Orët kalonin, shkoi mesnata. Bashkimi xhironte çfarë i merrte mendja, dhe çfarë i këshillonte Saimiri të fiksonte…

Pasi mbaruam punën u bëmë gati të ngriheshim.  Thirrëm kamerierin për të paguar shampanjën. Nuk  vonoi dhe  kamerieri erdhi dhe na hodhi mbi tavolinë faturën,  fletën e  pagesës. Na ra pika. Shishja e shampanjës kushtonte 1600 shilinga. Tmerr. 1600 shilinga, unë mund të merrja televizorin. Gërmuam nëpër xhepa dhe nuk bënim dot aq para. Eh, ç’na gjeti! Ç’të bënim, ku ti gjenim?!  Saimiri nuk e njihte gjermanishten, por me ato pak fjalë që kish mësuar, sa mbante mend, u përpoq pak a shumë t’i shpjegohej kamerierit:

-Na falni! Menduam se i kishim aq para për të paguar këtë  shishe….Por…pamë…se…aq para sa kemi… na lipsen për të blerë  karburant… për në hotel…etj…etj. Jemi tregu të pakujdesshëm. Këtu kemi ardhë me rrobat e personazheve dhe portofolat i kemi lënë në hotel…

Kamerieri që nuk e kish  kuptuar apo e  kish kuptuar keq… mendoi se mos donin një faturë, me  vulë  e firmë për të justifikuar ato që kishin konsumuar. Shkoi në banak e pas pak u kthye dhe ia vuri  përpara Saimirit fletën ku shënohej sasia e shilingave që duhet të paguanin për atë që kishin pirë. Qeshën nga halli që i  kishte zënë. U detyruan të prisnin katër orë sa të zbardhej etë vinte shoferi i ambasadës, të paguante faturën, se u turpëruam. Dieta ishte e papërfillshme…

Po për të xhiruar, a xhiruat?

Xhiroi Bashkimi, operatori, ç’ka mundi. Portrete femrash europiane, apo dhe aziatike. Kur u kthyem pasi u stampuan materialet, Saimiri me drejtorin e Kinostudios i panë. Kur u shfaqën ato pamje drejtori i Kinostudios, Vangjushi,  vuri duart në kokë dhe shqeu sytë.

-Hiqi, hiqeni këto budallallëqe, mbyllni  dyert se  mos të marrë vesh njeri  çfarë keni xhiruar! A jeni në vete, more?!/aktoretshqiptare.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button